Te Lazio mbetet ende e hapur cështja “Lorik Cana”. Ndonëse në klubin italian është pranuar fakti se mbrojtësi 32-vjecar mund të qëndrojë deri në fund të kontratës në organikën bardhekaltër, nuk kanë munguar disa oferta mjaft interesante nga Franca, Anglia dhe Gjermania. Sidomos nga Premier Leagua interesimi për kapitenin kuqezi është më konkret. Vetëm pak ditë më parë, mediat angleze informuan se Sunderlendi po mendon për rikthimin e tij në Angli, ku futbollisti spikati për shpirtin e tij luftarak.
Cana sipas mediave italiane po mundohet të kuptojë se cili do të jetë destinacioni më i mirë për të ardhmen e tij në aspektin ekonomik dhe edhe atë sportiv, sidomos në prag të finaleve të Euro 2016, ku kombëtarja shqiptare mund të jetë një ndër 24 protagonistet e turneut. Lazio shpreson që e ardhmja e Canës të jetë larg kryeqytetit italian, pasi do të kursente një shumë të majme që duhet ‘i paguhet si pagë futbollistit. Ditët e fundit të merkatos, përfaqësuesit ligjorë të Canës do të kenë kontakte intensive për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshëm për 32-vjecarin.