De Gea ka qenë emri më i përfolur në merkaton e Realit të Madridit gjatë kësaj vere dhe los blancos ende nuk heqin dorë nga shërbimet e portierit të Man.UTD.
Sipas spanjolles As, dhjetë herë fituesit e Uefa Champions League kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum ditët e mbetura nga merkato për të siguruar shërbimet e spanjollit. Van Gaal e ka deklaruar të pashitshëm De Gean, por kohët e fundit portieri ka përfunduar në stolin e rezervave dhe kjo mendohet për shkak të një transferimi të tij të mundshëm në “Santiago Bernabeu”. Sipas të përditshmes spanjolle, Reali do të gjejë gjuhën e përbashkët me United, dhe të hënën, kur De Gea të grumbullohet me kombëtaren spanjolle do t’i ofrojë atij kontratën për t’u firmosur.
Dëshira e Realit është që të prezantojë De Gean të martën e ardhshme. Klubi los blancos do të ofrojë 25 milion euro për shërbimet e tij, por sipas the Mirror anglezët kërkojnë 40 milion euro për ta lënë të lirë portierin. Një pengesë për Realin megjithatë mund të jetë presioni që Van Gaal ka nga ish-emra të mëdhenj të United për të mos e shitur portierin, por Reali është i gatshëm t’i shkojë deri në fund bisedimeve dhe të hënën me shumë gjasa, De Gea mund të veshë camiseta blanca.