NGA BESNIK DIZDARI
… Dhe po e filloj me sqarimin e përcaktimit “zvicerane”. Sepse kjo Shqipëri e fortë është vërtet “zvicerane”.
Vështroni për një çast: GASHI ka luajtur 6 ndeshje me Zvicrën
“NËN 17″, 5 ndeshje me Zvicrën “NËN 19″ dhe 10 ndeshje me Zvicrën “NËN 21″!
GJIMSHITI: 3 me Zvicrën “18”, 9 me Zvicrën”19″, 5 me Zvicrën “21”!
AJETI: 7 ndeshje me Zvicrën “17”, 5 me Zvicrën”18″, 11 me Zvicrën “19”, 2 me Zvicrën”20″, 13 me Zvicrën “21”!
T.XHAKA: 14 me Zvicrën “17”, 6 me Zvicrën”18″, 9 me Zvicrën “19”, 8 me Zvicrën “20”,4 me Zvicrën “21”!
ABRASHI: 2 me Zvicrën “17”, 20 me Zvicrën”19″, 18 me Zvicrën “21”!
BASHA: 1 me Zvicrën “17”, 13 me Zvicrën”19″, 1 me Zvicrën “21”!
Gjithçka të duket si në një poezi “prozaike”, megjithatë. Këta janë plot 6 djem “zviceranë” prej 23 lojtarëve që Shqipëria ka aktivizuar vetëm në ndeshjet për EURO 16. Ka edhe të tjerë jashtë këtij edicioni. Në dy ndeshjet e fundit, në 11- she vetëm 2 lojtarë i kishte prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë. Ishte një rekord përtej historisë.
Kjo tregon se tashmâ Kombëtarja e Shqipërisë, e cila gjithnjë e më fort nuk ka punë me futbollin e brendshëm të Republikës së Shqipërisë (nga 23 lojtarët e saj të EURO 2016, vetëm 7 i ka prodhuar futbolli shqiptar) është megjithatë një Kombëtare moderne – bazamenti i së cilës shfaqet i ngulitur thellë në tokën e futbollit modern europian. Dhe, siç u pa, vetëm në këtë edicion të Kampionatit Europian 6 titullarë të saj pra vijnë nga Kombëtaret e Zvicrës të moshave nga 15 deri në 21 vjeç. Madje, rasti i Abrashit del përtej, sepse ky ka luajtur edhe bukur 4 ndeshje me Olimpiken e Zvicrës. Kësisoj, nuk ka vend ajo që prapë e dëgjuam edhe mbas humbjes me Portugalinë, se “golin e pësuam prej mungesës së përvojës”. Duke harruar se Kombëtarja e Shqipërisë ka lojtarë të fanellave të Kombëtareve të Zvicrës dhe lojtarë të klubeve: Lacio, Zyrih, Napoli, Nantes, Bazel e të tjerë. Na duhet të pranojmë se Shqipëria sapo i ka vendosur Europës së futbollit një rekord unik (të vetëm), duke u bërë i vetmi shtet i saj, i cili ka ndërtuar një Kombëtare me lojtarë të një shteti tjetër! Deri më sot asnjë Kombëtare e asnjë shteti tjetër të Europës nuk ka arritur të ketë 6 titullarë të 11-shit të tij, të cilët në garat zyrtare të Europës të mbajnë mbi supe jo “shqiptarësinë e futbollit”, por shifrën e përbashkët “gjigante” të plot 184 përfaqësimeve vetjake lojtarësh përmes ndeshjeve nën Kombëtaren e rangjeve të ndryshme të një shteti tjetër! Ky është rasti i paprecedent i përmbledhjeve të Gashit, Gjimshitit, Ajetit, T.Xhakës, Abrashit, M.Bashës, Alijit. Është vepër e një trajneri të huaj, italianit me emrin Xhani De Biazi, i cili edhe ai vendosi rekordin e tij: 32 ndeshje në drejtimin e Shqipërisë – 1 më shumë se rekordi i vjetër i gjermanit Hans Peter Briegel (31 ndeshje). E pra? Ata janë të gjithë shqiptarë, shqiptarë të Kosovës shqiptare, të lindur jashtë saj, janë shqiptarë me nënë e babë, shqiptarë, të cilët flasin shqip. Dhe janë atdhetarë përderisa lënë Kombëtaren më të fortë të një shteti shumë më të zhvilluar se Shqipëria, pra edhe në futboll, dhe vijnë këtu ndër ne. Nuk mund t’u harrohet. Tjetër punë mandej, kur përmasat e këtij stili shkojnë deri aty saqë të cenohet jo pak ecuria dhe zhvillimi i futbollit kombëtar të brendshëm të Republikës së Shqipërisë, kur kjo “përvojë” tejkalon baraspeshën e arsyes. Madje, deri aty saqë të pengojë deri ardhjen e futbollistëve të Kampionateve të Shqipërisë te Kombëtarja e 21- vjeçarëve, 19-vjeçarëve apo dhe 17-vjeçarëve. Temë për më vonë kjo, ndonëse bie fjala, më tepër se 6-1, siç ngjau të mërkurën me Portugalinë, vështirë se do të ishte mundur edhe një Shqipëri 21-vjeçare e përbërë vetëm me lojtarë të Kampionatit të Shqipërisë! I kthehemi thellësisë së Kombëtares sonë “zvicerane” të shekullit XXI. Ata janë protagonistë të një Kombëtareje shqiptare, e cila, megjithëse humbi 1-0 të hënën që shkoi, dy ndeshje para mbarimit ajo përsëri është mëtuese e fortë për të shkuar drejtpërdrejt në turneun fundor të një Kampionati Europian. Ndërkohë që ka siguruar para kohe të drejtën e dy ndeshjeve plotësuese për të zënë një nga katër vendet shtesë. Ndërkohë që asnjëherë në historinë e Kombëtares së Shqipërisë nuk ka ndodhur që edhe mbas një humbjeje fatale si kjo me Portugalinë, prapë Shqipëria t’i ruajë mundësitë për të shkuar drejtpërdrejt në një Europian. Në të vërtetë, fati i saj i madh qe barazimi i Danimarkës në Armeni, barazim ky që na vë para alternativës më joshëse që Shqipëria ka pasur ndonjëherë: fitore në ndeshjen me Serbinë! Gjithnjë duke besuar te forca e Portugalisë së Kristiano Ronaldos, pra një fitore e të tijve, apo qoftë edhe një barazim, në ndeshjen me Danimarkën. Këtu kemi mbërritur. Kemi mbërritur falë kësaj Shqipërie “zvicerane”, çka nuk e kemi pasur asnjëherë deri më sot. Dhe me këtë nuk dua të them se lojtarë si këta të sotmit Shqipëria nuk ka pasur herët e tjera. Shqipëria ka pasur disa lojtarë edhe më të mirë se këta të sotmit, por Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një 11- she kaq të barabartë sa sot, më profesioniste sesa sot. Dhe mû këtu qëndron forca e kësaj Kombëtareje. Merreni me mend, thuajse edhe çdo mungesë nuk ndikon aq fort. Kaq të barabartë i ka lojtarët kjo Shqipëri – vepër e mendë- sisë së trajnerit Xhani De Biazi, po dhe të vetë drejtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Shqipëria ka humbur me Portugalinë 0-1 në minutën e 92-të. Dhe të themi se “e ka fajin ky apo ai mbrojtës që nuk lëvizi nga vendi”, “e ka fajin portieri që papritmas u nguros”, “e ka fajin euforia e parakohshme e përfundimit të ndeshjes (minuta 92)”, “e kanë fajin ndërrimet e vonuara të trajnerit (Roshi 20 minuta para mbarimit, e sidomos sulmuesi Bala katër minuta para mbarimit)” më tepër këto janë për të mbushur emisionet televizive, sidomos të “analistëve” e “komentatorëve” që Shqipëria i ka më të shumtë se asnjë shtet tjetër i Europës. Por kisha me thënë se, në fund të fundit, Shqipëria humbi edhe sepse “topi është i rrumbullakët”, sepse “futbolli luhet me organin më pak të përpunuar të organizmit të njeriut që është këmba”, sepse “gol mund të shënohet në minutën e parë e të fundit”, sepse “ashtu siç fitoi Shqipëria në Portugali, kur kjo e fundit po luante më mirë, po ashtu mund të fitojë Portugalia në Shqipëri kur kjo e përmirësoi tejet lojën e saj”… Kjo është e vërteta universale e futbollit! Shqipëria ka zhvilluar një pjesë të parë pa forcë dhe ritëm. Shqipëria ka ndryshuar ritmikën e lojës së saj në pjesën e dytë, ia ka arritur të jetë e barabartë me Portugalinë, ka tronditur një shtyllë edhe ajo, ka pasur edhe një rast tjetër, ka qenë me fat që nuk ka pësuar golin para kohe me portën e boshatisur të Berishës dhe e ka pësuar prej goditjes nga këndi, duke lejuar që jo një, por plot katër lojtarë të Portugalisë të kërcejnë njëkohshëm, për ta goditur topin njëri prej të katërve. Dhe… punë e kryer: 1-0! Trishtim. Heshtje nga fusha e blertë e boshatisur tashmâ, e deri te tribunat e stadiumit të Elbasanit. E megjithatë përshëndetje mirënjohjeje dhe duartrokitur. Ky është kuptimi i drejtë për futbollin. E tash, për të bërë një përsiatje paksa teknike, them se midis këtyre lojtarëve të barabartë mungon një lider i mbi të barabartëve – karakteristikë kjo e skuadrave të mëdha. Ndonëse dihet, Shqipëria nuk është një skuadër e madhe. Është thjesht një skuadër shumë e mirë. E, për fat, Lorik Cana – kapiteni lider – ndodhet disi larg për të udhëhequr një futboll elastik mbrojtje – sulm. Në mesfushë – e Shqipëria është e mbushur me mesfushorë të admirueshëm – prapëseprapë ajo nuk ka një regjisor të klasit të parë. Ajo nuk ka një regjisor, si për shembull Sabah Bizi dikur, por kam përshtypjen se ajo ende nuk ka një regjisor as edhe si Altin Lala apo dhe Ervin Skela. Këtë ajo përpiqet ta kompensojë me gati 5-6 mesfushorë të një rangu, lojtarë mjaft të mirë, por që në çaste kritike të duket se asnjeri prej tyre nuk merr përsipër “të madhen”: mbajtjen e topit pa guxuar t’ia prekë askush, vështrimin panoramik të fushës, befasinë e pasimit. Nëse e vëreni me vëmendje lojën e Kombëtares, do të shihni se pasimet e saj më të dendura e të sakta se asnjëherë tjetër, megjithatë janë kryesisht horizontale, çka padashur zgjat e vonon aksionin. Janë vërtet të pakta pasimet vertikale që të çojnë menjëherë te porta kundërshtare. E po aq janë jo të pakta edhe pasimet e kthyera mbrapa. E patë se si e bënte Portugalia dhe them se këtu qe një nga ndryshimet më të dukshme teknike midis dy skuadrave. Flasin për këtë edhe shifrat “frytdhënëse” të lojës: 16 gjuajtje Portugalia përballë 10 të Shqipërisë dhe 7 gjuajtje të Portugalisë në portë përballë vetëm 1 të Shqipërisë! Ndërkaq, ka një shifër dërrmuese: hiq tre golat e vendimit me Serbinë, në 6 ndeshje Shqipëria ka shënuar vetëm 4 gola. Është e fundit në grup në këtë tregues. Madje, midis 47 skuadrave të EURO 2016, në treguesin e kaq pak golave të shënuar, Shqipëria lë mbrapa vetëm Gjibraltarin, Andorën, San Marinon, Moldavinë, Lihtenshtejnin, Maltën – “amatorët” e Europës, ndonëse për çudi kësaj radhe edhe Greqinë. Shqipëria për shënim golash – çka është edhe qëllimi i një ndeshjeje futbolli – renditet e 40-ta në Europë! Dhe është e treta për mospësim golash! Fantastike kjo, por pa 3-0 të vendimit me Serbinë, golavarazhi i saj i varfër (4-3) për një skuadër, e cila është kaq pranë “Francë 2016″, të step disi. Kësisoj, në këtë përimtim teknik, papritmas na dilka edhe një problem tjetër: ai i sulmit. Cili është pra sulmuesi i mirëfilltë i suksesshëm, paksa edhe i frikshëm, për kundërshtarët, i kësaj Shqipërie të shekullit XXI, datuar 2015, e cila ka fituar edhe kundër Kampiones së Botës, Francës që organizon EURO 2016? Cikalleshi – asnjë gol i shënuar në 11 ndeshje të tij? Roshi – 25 ndeshje dhe vetëm 1 gol? Sadiku – 13 ndeshje dhe vetëm 1 gol? Bala – 11 ndeshje dhe vetëm 1 gol? Natyrisht që dikush prej këtyre, ndonëse dihet, në futbollin e sotëm mund të jetë lider shënues edhe një mesfushor-sulmues i rangut të lartë. Kjo Shqipëri e fortë, edhe pse shënon kaq pak, po që u mbroka “kaq fort”, a do t’ia arrijë? Më saktë: a do t’ia arrijë që më 8 tetor 2015 të triumfojë në ndeshjen me Serbinë e ishJugosllavisë së një futbolli të shkëlqyer me të cilën 70 vjet më parë Shqipëria ka zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare të saj (1946, Shqipëria – Jugosllavia 2-3) dhe është shpallur Kampione e Ballkanit? Ajo nuk është ndeshja e jetës, megjithatë. Është thjesht një ndeshje tejet përcaktuese për fatin e Shqipërisë për kualifikimet e EURO 2016. Si e tillë duhet vlerësuar. Kjo nuk është një ndeshje që lidhet me një “dron” për të cilin nuk e kuptoj përse flet, shkruan e transmeton çdo ditë Shqipëria, madje e shoh edhe sigël televizive, kur dihet, përveç të tjerave, që për këtë “dron” ajo është dënuar me 100.000 euro nga UEFA!… Dihet, ndeshja me Serbinë është vendimtare. Për të synuar fitoren, ajo kërkon strategjinë, taktikën, psikologjinë futbollistike, e paksa edhe sociale apo edhe të gjeopolitikës së sotme të futbollit. Dhe deri këtu. Madje pa ia shndërruar rëndësinë në mbirëndësi, pa e shndërruar kësisoj ndjenjën e çmueshme kombëtare në nacionalizëm të pakusht. Futbolli përfaqësues shqiptar, pavarësisht nga problemet e pambarimta të veprimtarive të tij brenda vendit, këto kohë po përjeton dy ngjarje të bukura. Ai e ka çuar për herë të parë një skuadër, Skënderbeun e Korçës, në 32-shen e Ligës së Europës dhe me Kombëtaren e tij synon premierën e pjesëmarrjes në elitën e Kampionatit Europian. Bukur! Shumë bukur deri këtu! Ndonëse gara vazhdon…