Quantcast
Channel: Engjellushet.Ch Ejashiko Pj Episodi epizodi Osamire
Viewing all articles
Browse latest Browse all 546

Jose Mourinho: Unë jam një trajner fantastik…

$
0
0

Jose Mourinho ruan besimin se ai është ende një nga trajnerët më të mirë në qarkullim, teksa Chelsea është kthyer te fitorja. Kampionët e Anglisë në fuqi arritën fitoren e dytë sezonale, në këtë fillim të hije të sezonit, pasi mposhtën Maccabi Tel-Aviv në ndeshjen e parë të fazës me grupe në Champions League. Mourinho është kritikuar për mënyrën si ka luajtur skuadra e tij, por “Special One” këmbëngul se nuk e ka humbur “magjinë” e tij, pavarësisht nga vështirësitë që ka pasur Chelsea.

Mourinho tha: “Ka njerëz që nuk janë të lumtur me gjithë sukseset që unë kam pasur në vitet e fundit. Kjo është natyra njerëzore. Wayne Rooney ishte një nga futbollistët më të dobët në këtë fillim sezoni, por brenda javës, pasi theu rekordin për numrin e golave me Anglinë, filloi të etiketohej si lojtari më i mirë anglez i të gjitha kohërave. Futbolli është me ulje-ngritje, por unë nuk jam dakord. Rooney është një futbollist fantastik, shënon apo jo gola. Unë jam një trajner fantastik kur nuk fitoj dhe jam trajner fantastik kur fitoj. Paguhem shumë që të bëj punën time dhe jo të flas gjëra që dihen. Duhet të jem gjeni në punën që bëj, përndryshe nuk meritoj të paguhem.”

“Kisha harruar ndjesinë e fitores, sepse kishte shumë kohë që nuk fitonim një ndeshje. Tani provova sërish këtë ndjesi pozitive,” – shtoi Mourinho. Trajneri i Chelsea bëri shumë ndryshime në formacion ku John Terry, Diego Costa dhe Nemanja Vidic u ulën në stol për t’i lënë vendin Kurt Zouma, Loic Remy dhe Ruben Loftus-Cheek. Portugezi ishte i kënaqur pas ndeshjes. “Skuadra ishte më agresive kur nuk e kishte topin në zotërim, – tha ai. – Mund ta vini re që presingu ishte më i fortë, linjat ishin më pranë njëra-tjetrës dhe mund të konsiderohet një përgjigje shumë e mirë. E detyruam kundërshtari të gabonte. E lëvizëm shumë mirë topin dhe kështu duhet të vazhdojmë.”

Ndërkohë, Mourinho, sqaroi se nuk ka asnjë problem mes tij dhe kapitenit John Terry. Terry u la në stol sepse trajneri u bazua te dyshja Zouma-Cahill. Steven Gerrard, ish-kapiteni i Liverpool, tha se ka pasur “fërkime” mes trajnerit të Chelsea dhe Terry, por Mourinho sqaroi: “Steven e ka gabim. Unë e pëlqej shumë Terry dhe kam marrëdhënie shumë të mirë me të. Ndonjëherë komunikojmë me njëri-tjetrin me mesazhe. E admiroj kapitenin tonë. Ai ka të njëjtën ndjesi karshi meje. Gerrard e ka gabim. Unë dhe Terry nuk kemi probleme.”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 546