Më shumë se dy vjet nga tërheqja e Sir Alex Ferguson vijojnë diskutimet mbi arsyet e vërteta që e cuan trajnerin legjendar skocez drejt këtij vendimi. Në një intervistë për britaniken “Telegraf” njeriu që shkruajti historinë në “Old Traford” gjatë tri dekadave të fundit, zbulon se dëshira e tij ishte që të punonte edhe më gjatë te “Djajtë e Kuq”, por kishte vendosur të tërhiheq për shkak të bashkëshortes së tij.
“Synimi im ishte të vijoja edhe për disa vite, por një natë pashë që bashkëshortja ime, po shikonte televizor dhe ishte shumë e mërzitur. E kuptova që ndihej shumë e izoluar pas vdekjes së motrës së saj binjake Bridget. Në vitin 2002 ngulmoi që unë ta ktheja vendimin për t’u tërhequr, por këtë radhë ajo nuk kundërshtoi. E kuptova që ajo dëshironte që unë të mos ndryshoja mendim.”
Bridget, motra e Lady Cathy Ferguson ndërroi jetë në vitin 2012, duke krijuar një boshllëk të madh në jetën e bashkëshortes së Aleks Ferguson. Për këtë arsye skocezi vendosi të kalojë më shumë kohë me njeriun me të cilin ka lidhur kurorë që në vitin 1966.
“Gjithmonë ka qenë e përkushtuar ndaj meje. Edhe në rastet kur unë kthehesha në shtëpi në orët e para të mëngjesit, ajo ishte aty duke më pritur”.
Shumëkush mund të jetë cuditur kur ka mësuar se Fergie i kushtoi më shumë rëndësi bashkëshortes së tij sesa ambicieve personale pas 39 viteve si trajner. Që kur u largua nga drejtimi i Manchester United, “Djajtë e Kuq” e kanë të vështirë të krijojë një identitet të ri. David Moyes zhgënjeu totalisht si pasues i Fergusonit, ndërsa holandezi Luis Van Gaal ende nuk i ka bindur tifozët e United se është njeriu i duhur për ta kthyer skuadrën te sukseset.