Ndeshja me Serbinë që do të luhet në Elbasan Arena më 8 tetor nuk do të jetë vetëm një përballje sportive. Përmes organizimit të saj Shqipëria do t’i tregojë Serbisë se nuk ka asnjë pikë të ngjashme me të në lidhje me ksenofobinë e racizmin, që u vunë re ne koret e mijëra tifozëve serbë në ndeshjen e luajtur me 14 tetor 2014 në Beograd.
Veç kontrolleve të rrepta për të shmangur çdo incident të mundshëm që do ta kompromentonte aktivitetin, biletat po shiten me numër të kartave të identitetit apo pasaportës. Aq e kontrolluar po bëhet edhe shitja e tyre, saqë asnjë biletë nuk ka dalë nga pikat e shitjeve në Tiranë apo në Elbasan.
Veç kësaj, nuk do të mungojë edhe spektakli qeveritar, i cili pritet të dominojë mbi skenografinë që dhurojnë gjithnjë tifozët kuq e zi.
Burime të lapsi.al pranë qeverisë thanë se kryeministri Rama ka ideuar një skenografi të veçantë për të ironizuar me zemërimin e serbëve ndaj dronit me banderolën e Shqipërisë së Madhe që u ngrit në Beograd. Lapsi.al mësoi se Rama do të ngrejë disa dronë në fushë, por jo për të provokuar serbët.
Dronët do të mbajnë një instalacion me disa flamuj të Bashkimit Evropian. Përmes kësaj ideje, disa burime i thanë Lapsi.al se Rama kërkon të tregojë se sa i ndryshëm është ai në mendime e ide edhe me kryeministrin Vuçiq, të cilin e sheh si rival direkt në marrëdhëniet me BE –në.
Ideja e përdorimit të dronit dhe flamurit të BE –së në një ndeshje sportive nuk ka asgjë negative, përveç zhvlerësimit të zemëratës serbe në rastin e ndeshjes së 14 tetorit 2014.
Por gjithsesi, sado gjetje të duket, ajo tregon se edhe lidershipi shqiptar vazhdon të jetë peng i komplekseve ballkanike në garën për t’u treguar i ndryshëm nga fqinjët.