Një grup qytetarësh sot para Ambasadës së Shqipërisë në Shkup kërkuan lirimin e menjëhershëm të tifozit të mirënjohur Ismail “Ballist” Morina, që njihet për lëshimin e dronit në stadiumin e Beogradit, i cili u arrestua në Tiranë një ditë para ndeshjes së kombëtares shqiptare me Armeninë.
Arrestimi i tij ka nxitur reagime edhe në Shkup, dhe se pjesë e këtij reagimi ishte edhe iniciativa e sotme e këtij grupi të qytetarëve të udhëhequr nga Molos Parthini.
Grupimi i qytetarëve pasi lexoi kërkesën për lirimin Ballist Morinës, u drejtua drejt hyrjes së ambasadës, por që dyert ishin të mbyllura. Por megjithatë Molosi la porosinë bashkë me fotografinë e Ballistit dhe mesazhin “Lironi Ballist Morinën”.
“Mëkati më i madh që ka Ballisti, është dashuria e pafund e tij ndaj kombit, vendit, popullit, ndaj gjithë asaj që simbolizon frymën kuq e zi, dashuri e cila tejkalon çdo kufi. Dashurinë që Ballisti ka për këtë flamur, për kombin, për popullin shqiptarë tejkalon edhe dashurinë që ai ka për familjen dhe fëmijët e tij. Ftoj Kapitenin e Kombëtares Lorik Cana, që në emër të tij dhe në emër të çunave të Kombëtares të angazhohet për lirimin e Morinës”, tha Molos Parthini.
Edhe aktivisti qytetar, Bujar Idrizi kërkoi lirimin e shpejt të Ballist Morinës, sepse sipas tij, ky tifozë i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. “ Si një person, i cili së bashku me Molosin nga Shkupi, na bënë të gjithëve krenarë, na dhuruan nga një simbol kombëtarë me të cilën veçmë kanë filluar shqiptarët të identifikohen. Unë besoj ashtu siç tha edhe Molosi, Ballisti duhet të kthehet mes nesh, dhe të mos e përsërisim atë gabimin të cilin e kemi bërë tërë kohës në historinë tonë, më shumë ti nderojmë heronjtë tonë kombëtarë pas vdekjes së tyre sesa që janë në mesin tonë”, theksoi Idrizi.
Zërave për lirimin e Ballist Morinës i janë bashkëngjitur edhe tifozët “Shvercerat” nga Shkupi. Udhëheqësi i tyre, Omer Bunajku theksoi për TV21 se Ballist Morina është personalitet dhe një hero kombëtar, që është ndër meritorët për kualifikimin e kombëtares në Evropianin Francë 2016. “Ballist Morinën duhet të shpallim hero kombëtarë, ndoshta edhe fitorja, ndoshta edhe plasmani në Evropianin Francë 2016 është merita e tij. Ato tre pikë nuk e di a do ti kishim marrë apo jo, është pikëpyetje e madhe. Prandaj, nuk është vetëm puna e tre pikëshit, por është krenaria e të gjithë shqiptarëve që e kanë ndjerë në atë momente anembanë botës, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, po gjithkund ku ka shqiptarë”, thotë Bunjaku.
Ndërkohë, grupi i tifozërisë “Ballistët” në qendër të Tetovës filluan mbledhjen e nënshkrimeve për lirimin e Ballist Morinës, ndërsa për këtë ka filluar edhe peticion online i organizuar nga Tifozat Kuq e Zi në Shqipëri.