Shkruan: Majldin Mustafa
Fillojmë ishte ky një slogan që në realitet tingëllonte me shumë cinizëm. Duke qenë edhe më komike por edhe më tragjike, lideri i BDI-së u duartrokit aq fuqishëm sa që mendova mos vallë janë duke kumtuar ndonjë fitore madhështore. Fatkeqësisht, dhe ashtu ishte. Ishin ato duartrokitijet që vinin pas rezultateve permanente zhgënjyese në qeverisje, pas aksionit policor në Kumanovë ku në fokus përsëri ishin shqiptarët, veçanërisht ish-ushtarët e njeriut që e duartrokitnin. Paraqitja e këtillë nuk ishte asgjë tjetër përveç se një sarkazëm dhe idiotizëm i pafund. Thuhet se çdo fillim është paralajmërim i një fundi, por më e rrezikshme është të kuptuarit e fundit e të futesh në iluzionet e fillimit. Të thuash fillojmë pas 13 vitesh qeverisje, pushtet dhe sprova me popullin përkon vetëm me një çmenduri skizofrenike, asgjë tjetër. Gjithçka për ata është e turbullt, nga matrializmi i erësisë së syve çështjen qeverisëse e të pushtetit lidhin me pafundësinë, dhe se këtu lind problemi mental i tyre sepse shumë më pare do të kishin pranuar fundin e jetës se sa të pushtetit. Kjo lidhje aq e madhe shpirtërore ndaj pushtetit çdoherë çon në të menduarit vetëm në drejtim të fillimit e aspak të fundit. Ëndërra e tyre për tu pasuruar përmes pushtetit të krimit duke shfrytëzuar edhe paranë e fundit te shqiptarëve u dëshmua si realitet. Ndërsa ëndërra e shqiptarëve për tu zgjidhur çështja e ish-ushtarëve, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, të jemi pjesë e buxhetit te shtetit ashtu siç na takon, të ulet papunësia, të zhvillohet ekonomia e të kemi një mirqenie më të mire për shqiptarët nuk arriti realitetin. Shqiptarët si asnjëherë më pare nuk kanë qenë më të përulur e më të molisur. Pushteti i inkriminuar shuajti edhe atë pak dinjitet që kishin. Lideri i BDI-së, dhe partia e tij nuk është e aftë për ti drejtuar e udhëhequr shqiptarët sepse ai ka probleme serioze me përceptimin real të situates. Ai qëndron i heshtur në botën e tij imagjinare në një gjendje haluçinacioni. Ai nuk kupton dot realitetin, sepse në mendjen e tij rrotullohen disa realitete në të njejtën kohë. Një lider i vetmuar që qëndron në hipohondri kronike e që shfaqet si një njeri shumë i lumtur nuk shiqon më larg se koburja e ndryshkur e tij dhe sekuencat filmike të 2001-it që i takon së shkuarës dhe se e cila mori shumë jetë njerëzish të pafajshëm.
Zgjidhja e vetme për të ndryshuar gjendjen e mjerueshme është në të kuptuarit se ata do të vazhdojnë të kërkojnë fillimin derisa ne nuk do jemi aktiv për të sensibilizuar çdo nënkulm të ketij nënqielli për të kërkuar ndryshimin dhe fundin e tyre. Pushteti i stërgjatur shëndron njeriun në mbinjeri, edhe pse ende nuk është ngritur në nivelin e arsyes mbinjerzore. Ndërgjegjja ynë duhet të ngritet në faktin se sa më shumë i paraqesim ata në mbinjerëz aq më ç’njerzorë behemi ne. Jam i bindur se ndryshimi do të ndodhë vetëm nëse vendosim të kuptojmë të paktën si qenie njerzore se të rezonuarit e të reflektuarit, fillimin virtual të tyre e sjell tek fundi, e fundi i tyre sjell fillimin tonë.
The post “Fillimi i një fundi” appeared first on Shqipmedia.