Trajneri i Kombëtares së Italisë, Antonio Conte ishte i pranishëm në St. Peterburg për shortin eliminator të Botërorit 2014. Ish kampioni i Italisë me Juventusin analizoi kundërshtarët në Grupin G ku fillimisht theksoi se shorti është stimulues sepse Spanja është një kundërshtar i vështirë, por shtoi se analizat nuk vlejnë pasi është fusha ajo që duhet të flasë. Në vijim të intervistës, Conte bëri një koment edhe për Shqipërinë, duke vlerësuar ekipin kuqezi.
“Në letër duken të favorizuara Italia dhe Spanja, por nuk duhet të harrojmë Shqipërinë që po bën një punë të mirë në eliminatoret e Europianit dhe ka shanse të mëdha për të prerë biletën e fazës finale. Gjithsesi, në pamje të parë, dy skuadrat që kanë shanse më të mëdha për t’u kualifikuar janë Italia dhe Spanja por do të flasë fusha e lojës”.
Një deklaratë deri diku e papritur kjo e Antonio Contes, i cili nuk ka komentuar asnjë kundërshtar tjetër të Grupit G, duke lënë të kuptohet ndeshja miqësore e Nëntorit ndaj Shqipërisë e ka shtangur trajnerin italian për mënyrën se si Shqipëria e interpretoi sfidën kundër të kaltërve.