Skënderbeu fiton dhe hipotekon kualifikimin në turin e tretë të Champions. Heroi i natës së mbrëmshme mban emrin e Hamdi Salihit. Sulmuesi kuqezi në debutimin me fanellën e Skënderbeut, shkëlqen dhe shënon dy gola dhe së bashku me Nimagën e Berishën duke qenë mes më të mirëve të takimit. Në 90 minutat e para të Skënderbeut në Champions, skuadra e Mirel Josës arrin të habisë të gjithë. Do të kishte qenë një ndeshje perfekte nëse nuk do të kishte marrë një gol në fillim të pjesës së dytë, që e shtangu skuadrën për disa minuta, por gjithsesi, rezultati përfundimtar 4-1 ndaj Krusaders, çon ekipin 90 minuta para kohe në turin e tretë. Vetëm ndonjë çmenduri në Irlandë që ka shumë pak gjasa të ndodhë, mund të nxjerrë korçarët jashtë.
Gjithsesi, tani që flasim, Skënderbeu është në turin e tretë, duke djersitur shumë pak, për të arritur një rezultat të madh. Përsa i përket ndeshjes, Josa hedh në fushë të njëjtin formacion pa Sabien Lilajn dhe me dyshen e sulmit Salihi-Hristov që rezultojnë vendimtarë. Dhe që në fillim, ekipi korçar merr frenat e lojës në dorë. Berisha është i papërmbajtshëm në të majtën. Dhe pikërisht në minutën e 15-të nga një shpërthim i tij vjen edhe goli. Nimaga shënon, pas një topi të marrë nga Berisha në krahun e majtë. Skënderbeu merr në kontroll lojën dhe është Salihi që pas pak minutash që shënon golin e dytë të lojës.
Pikërisht në minutën e 34-t, Salihi e dërgon në rrjetë topin e shpëtuar nga duart e portierit, pas një gjuajtje nga larg të Berishës. Loja është nën kontroll të plotë. Pas 2 minutave shtesë përfundon edhe pjesa e parë e takimit. Një epërsi në gjitha drejtimet e skuadrës kampione të Skënderbeut, e cila veç 2 gola të shënuar me anë të Nimagës dhe Salihit, mund të kishte shënuar edhe në minutën e 26-të dhe të 45-të, raste që u shpërdoruan. Ndërkohë irlandezoveriorët e Krusejdërsit e rrezikuan portën e Shehit vetëm në minutën e 32-të, ku topi i goditur me kokë nga Ouens përfundoi jashtë. Por atë që nuk bënë në pjesën e parë irlandezo-veriorët e bëjnë në fillim të pjesës së dytë.
Në minutën e 48-të, Ouens devijon me kokë një top të gjatë dhe ngushton rezultatin në 2-1. Mbrojtja e Skënderbeut ishte e pakujdesshme dhe ky gol rezulton “shastisës” për ekipin tonë. Për më shumë se 25 minuta ekipi hyn në ankthin e rezultatit, por është Berisha në minutën e 75-të shënon golin e çlirimit. Kosovari shtyn topin në rrjetë, duke finalizuar nje aksion të nisur nga Latifi. Dhe ende nuk ka mbaruar. Është kampioni që në minutën e 83-të Salihi shënon pas një pasimi të saktë të Shkëmbit.
4-1 për Skënderbeun dhe goli i dytë për Salihin, që vendos kështu rezultatin e takimit. Shkodrani i kuqezinjve mund të kishte shënuar edhe golin e tretë dhe të pestin për korçarët, ndonëse fati nuk është me të. Por gjithsesi edhe 4-1, ia vlen, sepse çon ekipin korçar drejt turit të tretë në Champions. Është radha e formalitetit në ndeshjen e kthimit që do të luhet më 21 korrik në Belfast të Irlandës së Veriut, në orën 20:45. Me avantazhin e 3 golave, Skënderbeu do ta ketë të lehtë të kalojë turin e dytë në Champions League. Për momentin në Korçë është festë. Se cili do të jetë kundërshtari i radhës ka ende kohë për të menduar.