Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Shpëtim Duro, në një intervistë për “Panorama Sport” sqaron incidentin e ndodhur në stadiumin “Filipi i Dytë” gjatë derbit Vardar-Shkupi. Ish-trajneri i Partizanit tregon se ka qenë me fat, pasi një koleg i tij, ngjitur me të, është goditur nga larg me shishe. Falë ndërhyrjes së forcave speciale dhe këmbënguljes së zyrtarëve të federatës maqedonase, drejtuesit e Shkëndijës, që ndodheshin në tribunën VIP, kanë dalë jashtë stadiumit pa përfunduar pjesa e parë. Duro pohoi se ai ishte një derbi shumë i egër dhe po ta dinte, nuk do të shkonte në stadium. Më pas, trajneri i Shkëndijës flet për objektivat e skuadrës tetovare, si dhe për ecurinë e Skënderbeut në Europë. Ndërsa rreth Partizanit dhe skuadrave të tjera shqiptare, Duro nuk preferoi të jepte ndonjë koment.
Duro, kemi mësuar se ju dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Shkëndijës së Tetovës keni pasur probleme gjatë qëndrimit në tribunën VIP në ndeshjen Vardar-Shkup. Mund të na sqaroi se çfarë ndodhi me ju në stadium?
Pa mbaruar pjesa e parë e ndeshjes, pjesëtarë të federatës na larguan nga stadiumi për të shmangur ndonjë situatë jo të hijshme. Unë dhe pjesëtarë të tjerë të Shkëndijës ishim në tribunën VIP të stadiumit, së bashku me drejtuesit e klubit të Shkupit. Ndonëse ata nuk e kishin direkt zemërimin me ne, rreziku i një tensioni të mundshëm ishte i pranishëm. Këtë gjë e vërteton edhe fakti se një nga kolegët e mi u godit nga larg me një shishe. Ai ishte shumë pranë meje në momentin që u godit. Duke parë situatën e krijuar në stadium, forcat speciale rrethuan tribunën VIP, duke siguruar të pranishmit në këtë sektor. Pas masave që morën forcat e sigurisë, ne dolëm nga stadiumi.
Realisht ndiheni i shqetësuar për veten, duke parë rritjen e tensioneve ndëretnike në Maqedoni?
Vardar-Shkupi është një derbi jashtëzakonisht i tmerrshëm ndëretnik. Po ta dija, nuk do të shkoja në stadium. Në kohën që kemi qenë në stadium nuk ka qenë i pranishëm asnjë tifoz i Shkupit. Nuk kam pse të ndihem i frikësuar në punën time, pasi këto ngjarje i shikoj të izoluara.
Të dielën Shkëndija do të përballet me Vardarin, i druheni përsëritjes së situatave të ndeshjes së fundit, pasi bëhet fjalë sërish për një duel mes një ekipi shqiptar ndaj një maqedonas?
Me Vardarin kam luajtur edhe dy herë të tjera para dy vitesh dhe nuk ka pasur probleme, si rezultat i masave të marra. Ndërsa derbi mes Vardarit dhe Shkupit pashë që është më i egri.
Kampionatin e nisët me fitore, duke fituar 3-1 ndaj Mlladostit. Çfarë objektivash ka Shkëndija këtë sezon?
E nisëm mbarë sezonin dhe kjo ka shumë rëndësi, pasi bëhet fjalë për një kampionat të gjatë. Personalisht shikoj tri skuadra të përfshira në luftën për titullin kampion, Shkëndijën, Vardarin dhe Rabotnickin. Të tria janë skuadra shumë të forta dhe po të ishin në Shqipëri, do të luftonin për titull.
Si trajner keni shijuar titullin e parë të Skënderbeut. Cili është komenti i Duros për ecurinë aktuale të korçarëve në Europë?
Paraqitja e Skënderbeut nuk ka nevojë për koment, është e jashtëzakonshme.
Mendoni se Skënderbeu ka shanse ta kalojë Dinamon e Zagrebit?
Patjetër që Skënderbeu ka shanse. Është rritur shumë autoriteti i skuadrës në fushën e lojës. Skuadra korçare është e qetë psikologjikisht, pasi me këtë ecuri aktuale ka arritur ta sigurojë një objektiv madhor.
Po për Partizanin keni dëshirë të thoni diçka?
Për Partizanin nuk kam asnjë koment.
Nëse i keni ndjekur lëvizjet e skuadrave shqiptare në merkaton e verës, sipas jush, cili ekip ka bërë goditjet më të mëdha?
Jo, nuk i kam ndjekur lëvizjet e skuadrave në Shqipëri, pasi kam qenë shumë i përqendruar në punën time te Shkëndija. Tani jam më i fokusuar e objekt i mediave maqedonase dhe larg mediave nga Shqipëria.