Shkëndija afron një talent shqiptar. Skuadra nga Tetova nënshkruan me mesfushorin 18-vjeçar të lindur në Kosovë, Meriton Korenica, i cili është rritur në radhët e skuadrës së Rahivecit. Pas testimit disaditor nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, mesfushori ka hedhur të zezën mbi të bardhë, duke mos e fshehur kënaqësinë që ai është bërë pjesë e kuqezinjve.
“Jam shumë i kënaqur sepse kjo është kontrata ime e parë profesionale që kam nënshkruar me një klub. Shpresoj të kem sukses si në aspektin personal, ashtu edhe me klubin tim të ri”.
Sipas komunikatës së publikuar në faqen zyrtare të Shkëndijës, Korenica është një lojtar me talent. Ai është një mesfushor i kompletuar teknikisht por do t’i duhet shumë punë për t’u rritur profesionalisht. Gjatë sezonit të shkuar ai u aktivizua titullar në radhët e Rahovecit duke e ndihmuar skuadrën që të ngjitej në Ligën e Parë të futbollit kosovar.
Por ndërkohë që një lojtar nënshkruan, një tjetër largohet nga radhët e skuadrës shqiptare që militon në kampionatin e Maqedonisë. Ai është mbrojtësi Jure Jerbiç, aventura e të cilit në Tetovë nuk zgjati më shumë se një muaj. 25-vjeçari vendosi t’i jepte fund aventurës me Shkëndijën pasi nuk arriti të përshtatej me grupin e drejtuar nga Shpëtim Duro.