Quantcast
Channel: Engjellushet.Ch Ejashiko Pj Episodi epizodi Osamire
Viewing all articles
Browse latest Browse all 546

Agolli: Duhet kujdes kur Serbia të vijë në Shkodër, jemi shumë euforikë

$
0
0

E kujton si një natë tmerri. Në momen tin që ka mësuar vendimin e KAS-it, janë dashur disa minuta dhe konfirmime që ta besojë, pavarë- sisht se e ka pritur si të gjithë shqiptarët atë vendim.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ansi Agolli tregon skandalin që ka ndodhur në Beograd. Në lidhje me Shqipërinë dhe objektivat, ai është “me këmbë në tokë”.

“Jemi në pozita të mira, por nuk jemi kualifikuar dhe as nuk kemi fituar trofe që të gëzojmë. Euforia na ka ndëshkuar gjithmonë”, shprehet ndër të tjera mbrojtësi i Kombëtares. Agolli flet gjithashtu për rivalitetin e lojtarëve në Kombëtare si dhe atë që duhet përmirësuar në katër ndeshjet e mbetura të grupit. Ndeshja Shqipëri-Serbi?

“Kam besim te shqiptarët…”, deklaron Agolli.

Si e mësuat lajmin e vendimit nga KAS-i dhe emocionet për të?

Atë ditë, vëmendja ndaj mediave ka qenë më e madhe se zakonisht, pasi prisnim një lajm dhe një përgjigje se si do të ishte vendimi. Që në momentin që u dha si lajm, më erdhën edhe disa mesazhe në telefon, që më tregonin apo edhe më uronin për tri pikët. Edhe pse të gjithë e prisnim atë përgjigje, në fillim dukej si e pavërtetë. Sa më shumë kalonin minutat dhe shihja mesazhe apo njerëz të ndryshëm me statuse në rrjetet sociale, atëherë e besova plotësisht. Është më e pakta për atë skandal që ndodhi në Beograd.

Për t’u rikthyer në natën e tetorit në Beograd. Çfarë kujton nga ajo natë kur u futët në tunel?

Unë nuk kam qenë pjesë e grupit të lojtarëve që kanë hyrë në fillim në tunel. Nga ai grup lojtarësh, kam mësuar që janë goditur nga njerëz me uniformë. Një fakt tronditës, që i shtohet skandalit kur në fushë u futën tifozë për të na goditur.

Çfarë keni menduar apo ndier në ato momente. Frikë mbase?

Frikë jo, pasi ishim të gjithë bashkë dhe ajo është një lloj force edhe në situata të vështira. Inat po! Indinjatë të thellë për faktin se si është e mundur që të futen tifozët në fushë. Aq më tepër me sende të forta dhe për të goditur futbollistët. Skandal dhe e papranueshme!

Çfarë bëtë në momentet e para në dhomat e zhveshjes?

Duke qenë se të gjithë sytë e miqve dhe sidomos të familjarëve tanë ishin në televizion për të na ndjekur, duheshin lajmëruar sa më shpejt për t’u thënë që jemi mirë. Telefonata të shumta dhe mesazhe të shumtë për t’i qetësuar, nga ajo që kishin parë në televizion.

Për t’u rikthyer te vendimi i KAS-it. Sa i rëndësishëm është ky trepikësh për Shqipërinë?

Këto pikë na afrojnë me Danimarkën dhe Portugalinë, edhe pse kemi një ndeshje më pak. Është shumë i rëndë- sishëm, sepse gjithashtu kemi lënë pas me një diferencë të madhe pikësh Armeninë dhe Serbinë. Me tri pikët e KAS-it, “play off-i” është thuajse i siguruar.

Sa shanse kemi për t’u kualifikuar direkt?

Është shumë shpejt që të flasim për kualifikim direkt dhe ka ende katër ndeshje për të luajtur. Ne duhet të përgatisim mirë çdo ndeshje dhe ndaj secilës skuadër që do të kemi përballë, duhet të tregojmë atë që mund të bëjmë. Ky grup ka treguar që çdo gjë mund të ndodhë, megjithatë nuk mendoj se është gjëja e duhur të flasim për kualifikim kur jemi në gjysmën e rrugës. Është më mirë që të përqendrohemi te dy ndeshjet e shtatorit.

Pse e thoni këtë, mbase nga frika se mos përsërisim edicionin e kaluar?

Prandaj nuk dua të jem euforik, pasi gjithmonë euforia ka qenë armiku ynë më i madh. Këtë gjë e vërtetuam në edicionin e kaluar. Unë mendoj që është mirë të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi janë në lojë edhe 12 pikë. Janë pikë që mund të bëjnë çdo gjë, ndaj mirë është që të ruajmë traditën e përgatitjeve maksimale për çdo takim, të ruajmë formën dhe forcën që kemi treguar në çdo ndeshje dhe në fund të shohim se çfarë do të arrijmë.

Cili ka qenë çelësi i suksesit i kësaj Kombëtareje?

Është një pyetje që sërish ka eufori të përfshirë, përderisa aktualisht nuk kemi arritur të fitojmë asnjë trofe (qesh). Kemi bërë një punë mjaft të mirë dhe jemi një grup kompakt, jo vetëm në fushën e lojës. Jemi lojtarë që luftojmë të gjithë dhe çdokush kërkon të bëjë më të mirën për vete dhe shokun e skuadrës që ka pranë. Kemi treguar shpirt gare në çdo përballje që kemi pasur deri tani.

 A ka vend kjo Kombëtare që të përmirësohet sipas jush?

Patjetër që po! Edhe ekipi më i mirë në botë ka pika ku ka vend për përmirësime. Megjithatë, edhe skuadra jonë është duke u përmirësuar vazhdimisht. E rëndësishme është që në fushë është bërë gjithmonë ajo që ka kërkuar trajneri, është përgatitur çdo ndeshje edhe me detajet më të vogla dhe e përsëris që është shfaqur një grup kompakt lojtarësh. Një pikë mjaft e fortë që i shërben edhe përmirësimit të ekipit është gjithashtu fakti që ne asnjëherë nuk kemi thënë: “mjaft, se kjo është më e mira”. Kurrë nuk jemi kënaqur me atë që kemi bërë në fushë dhe kjo kërkesë llogarie që ka gjithsecili te vetja na ka bërë që të jemi gjithmonë në zhvillim dhe në përmirësim. Thuhet që rivaliteti u shërben lojtarëve.

Duke qenë se në Kombëtare ka shumë alternativa, mbizotëron më shumë miqësia mes lojtarëve apo rivaliteti?

Jua them me bindje dhe me sinqeritet të plotë që në Kombëtare nuk ka aspak rivalitet apo xhelozi. Secili është aty për të dhënë gjithçka që ka mundësi t’i japë ekipit. Luan ai që meriton dhe që përzgjidhet nga trajneri dhe nuk ka aspak vend për xhelozi. Megjithatë, kur ka shumë alternativa për trajnerin, është më mirë për ekipin dhe për secilin lojtar, pasi e rrit profesionalisht.

Çfarë duhet të ndryshojë Kombëtarja nga gjysma e dytë e edicionit të kaluar?

Nuk dua të bëj krahasime, por dua të them se çfarë duhet të bëjmë në vazhdim. Secili duhet të mendojë për ndeshjen e radhës, siç kemi bërë deri tani. Të jemi të përgatitur për të luajtur 90 minuta dhe të jemi të fortë, të bashkuar dhe të përqendruar në çdo minutë, deri kur të luajmë ndeshjen e fundit. Kjo do të na bëjë që të ruajmë këtë ritëm që kemi treguar deri tani dhe që ta përmirësojmë sa më shumë vetveten si në fushë, ashtu edhe në tabelën e renditjes me grumbullimin e sa më shumë pikëve.

Meqenëse thoni që duhet të jeni sa më të përqendruar… duke kujtuar takimin ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”, një episod i fundit të ndeshjes mund të na kishte ndëshkuar. Pse mendoni se ka ndodhur kjo gjë?

Është e vërtetë, por nuk duhet të harrojmë edhe volumin e lojës që kemi krijuar apo rastet me të cilat mund ta kishim mbyllur ndeshjen, përpara se të krijohej ai episod në favor të danezëve. Megjithatë, unë mendoj se ajo ndeshje i duhet lënë së shkuarës, pavarësisht se them që kemi bërë një paraqitje pozitive në atë takim. Ai episod ishte patjetër një shpërqendrim i mbrojtjes, ashtu siç ndodhi edhe në momentin e pësimit të golit. Duhet të jemi më të vëmendshëm, sidomos në fundin e ndeshjeve.

Sa e rëndësishme është ndeshja me Danimarkën?

Në natyrën time dhe të filozofisë së punës që kemi bërë me Kombëtaren, ndeshja e radhës është gjithmonë më e rëndësishmja. Por, për atë që kemi parë në ndeshjet e këtij grupi, mendoj se Danimarka është skuadra më e fortë. Portugalia ka kualitete të shumta në ekip, por, për sa i përket skuadrës në fushën e lojës, danezët janë më të fortë. Për vetë pozitat e grupit, vlen edhe disi më tepër sesa me ekipet e tjera.

I druheni ndeshjes me Serbinë?

Aspak! As që e mendoj diç- ka të tillë, pasi jam i bindur se ne kemi një tifozëri të tillë që di të sillet. Tifozët shqiptarë janë njerëz të civilizuar dhe që do të dinë t’u tregojnë të gjithëve që kush vjen në shtëpinë tonë, pritet si mik dhe nderohet si i tillë. Gjë që na shton së tepërmi vlerat si popull. Për më tepër që do të ishte fatale nëse e mendojmë se mund të ndodhë diçka e papëlqyeshme. Fatale për të gjithë punën, djersën dhe mundin që kemi bërë gjatë gjithë këtij edicioni. Përfshi këtu edhe natën e tmerrit në Beograd.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 546

Trending Articles