Quantcast
Channel: Engjellushet.Ch Ejashiko Pj Episodi epizodi Osamire
Viewing all articles
Browse latest Browse all 546

Qyteti i Prishtinës brenda një viti me stadium modern

$
0
0

Qyteti i Prishtinës, brenda një viti, pritet ta ketë një stadium modern. Ministria e Sportit, në bashkëpunim me Komunën, kanë premtuar se do t’i investojnë 3 milionë euro për renovimin e këtij stadiumi, i cili do t’i përmbushë kriteret ndërkombëtare. Presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, thotë se ky investim, edhe pse i vonshëm, është mjaft i rëndësishëm për krejt sportin e Kosovës

Brenda një viti, stadiumi i qytetit në Prishtinë pritet ta ketë një pamje krejt tjetër. Në fakt, Ministria e Sportit, në koordinim me Komunën e Prishtinës, e kanë nënshkruar të hënën memorandumin e bashkëpunimit për renovimin e këtij stadiumi.

Këto dy institucione pritet t’i investojnë plot 3 milionë euro, për renovimin e stadiumit, të ndara në dy faza, sivjet 1.7 milionë, e vitin tjetër 1.3 milionë euro. Nga kjo shumë, siç u tha me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, MKRS do ta paguajë 75 për qind të shumës, kurse Komuna 25 për qind.

“Sot po e nënshkruajmë një memorandum të një prej investimeve kryesore, i cili hap rrugë të investojmë bashkërisht rreth 3 milionë euro në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Ky investim do të përmbyllet në vitin 2016. Me këtë rast, po konkretizohet një projekt gjigant, përmes të cilit, stadiumi i qytetit do t’i përmbushë standardet ndërkombëtare”, tha ministri i Sportit, Kujtim Shala.


Ahmeti: Ky do të jetë stadiumi më i mirë në Kosovë

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, premton se me këto investime, kryeqyteti do ta ketë stadiumin më të mirë në vend. Ai shton se stadiumi i qytetit do t’i përmbushë kriteret që kërkohen për ndeshje ndërkombëtare.

“Është kënaqësi për ne që nënshkruhet kjo marrëveshje. E kemi parë nevojën për të investuar, kjo është një histori e gjatë. Pasi jemi afër pranimit në UEFA e FIFA, shtohet nevoja për lojë ndërkombëtare dhe nevojitet një stadium. Ky do të jetë stadiumi më i mirë i Kosovës”, tha Ahmeti.

Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit, pranë MKRS-së, ka treguar në detaje rreth investimeve në stadium. Sipas tij, fillimisht do të bëhet hidroizolimi në stadium, në mënyrë që të mos futet uji brenda stadiumit.

Më pas do të vendosen ulëset e reja, do të bëhet drenazhi i fushës me sistem ujitjeje, pastaj do të ndërtohen shtigjet e atletikës, do të rinovohen zhveshtoret, do t’i jepet fasadë nga jashtë stadiumit, do të bëhet parkingu për skuadrat mysafire etj.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, theksoi se ndihet mjaft i emocionuar që po bëhet ky investim. “Kjo është një ditë historike, pasi, qëkur ekziston stadiumi, nuk është investuar në të, qe 30-40 vjet”, tha ai. I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe nënkryetari i FC Prishtina, Ahmet Kurtolli.

“Për klubin, kjo është gjë shumë e madhe. Është njëra prej ditëve më të lumtura për mua. Pronarët e klubit deri tash kanë investuar sa kanë mundur, që stadiumi të jetë në gjendje të mirë. Por, me këto investime, stadiumi do të ketë pamje të re. Nga kjo nuk do të përfitojë vetëm kryeqyteti, por krejt Kosova”, theksoi Kurtolli për “Zërin”.


Ejupi: Ky investim, i rëndësishëm për sportin e Kosovës

Remzi Ejupi, president i FC Prishtina, u shpreh se ky investim nuk është i rëndësishëm vetëm për klubin që ai e udhëheq, por për tërë vendin.

“Ky është një investim i rëndësishëm për krejt sportin e Kosovës, jo vetëm për ne. Po investohet me një vonesë shumë të madhe, por thonë: më mirë vonë se kurrë. E vlerësoj shumë këtë veprim të ministrit Shala, por edhe të Komunës”, u shpreh fillimisht ai.

“Mendoj se nevojitet që Ministria dhe Komuna ta formojnë një komision të rreptë profesionist, për t’i përcjellë në detaje punimet, në mënyrë që ato të shkojnë si duhet dhe të mos keqpërdoret asnjë cent”, vazhdoi ai./Zëri

0a


Viewing all articles
Browse latest Browse all 546