Lënja në stol e James Rodriguez, në ndeshjen e parë të Real Madridit në La Liga, kundër Sporting Gijon, ka ngjalluar polemika në shtypin spanjoll, duke shtyrë kështu trajnerin e galaktikëve të japë një sqarim lidhur me këtë çështje.
Rafael Benitez ka thënë se ai nuk ka asgjë personale me lojtarin në fjalë, dhe se vendimi për të filluar lojën nga stoli, ishte vetëm një çështje taktike. “James është një lojtar i madh”, ka thënë Benitez gjatë konferencës, duke shtuar se ai është shumë i rëndësishëm për klubin.
“Nëse James nuk luajti nga fillimi, ishte një vendim taktik dhe asgjë personale ndërmjet meje dhe lojtarit” ka thënë ndër të tjera trajneri spanjoll, transmeton Koha.net raportimin e goal.com.
Sa i përket ndeshjes së radhës kundër Real Betis, Benitez ka thënë se së shpejti do të përcaktojë listën e lojtarëve, duke shtuar se Karim Benzema vazhdon të stërvitet i ndarë nga shokët tjerë të skuadrës.
“Benzema nuk është plotësisht i gatshëm, do të shohim sa minuta do të mund të luajë”, ka përfunduar Benitez.