Thirrjet “buu” raciste ndaj disa futbollistëve të Bajer Leverkusenit, kanë zemëruar të përditshmen prestigjioze “Bild”. Gazeta gjermane, ka sulmuar Lacion dhe tifozët e saj, me titullin “Skandal” dhe duke nënvizuar se “Tifozët e Lacios nuk kanë respektuar moton e UEFA-s “Jo Racizmit’”.
“Mbrojtësi i Bajerit, Wendell, është shënjestruar nga koret raciste. I njëjti trajtim i është bërë edhe Jonathan Tah dhe Karil Bellarabi”, pretendon “Bild”. “Aq sa gjyqtari Joan Erikson është detyruar të bëjë një njoftim te spikeri i stadiumit me ftesën për të mos vazhduar me këto kore, përndryshe ndeshja do të pezullohej”, vazhdon gazeta.
Por Lacio pretendon se kjo gjë nuk është e vërtetë, duke parë që UEFA vetëm sa i ka kërkuar Lacios të shpjegojë episodin në fund të ndeshjes dhe klubi i Lotitos ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë komunikim për këtë rast. Edhe drejtori i klubit, Igli Tare, ka ndërhyrë për të mbrojtur tifozët bardhekaltër, ose më saktë ultrasit në Tribunën e Veriut, të cilët janë vënë në shënjestër nga “Bild”.
“Spektatorët tanë nuk kanë fyer asnjë futbollist me shprehje raciste, ndonëse gjyqtari suedez i ka keqinterpretuar koret e tyre, – theksoi ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare. – Tifozët tanë ulërinin “buuu” për t’i bërë presion dhe frikësuar kundërshtarin në fushë, por aspak në mënyrë raciste”.