Barcelona detyrohet të heqë dorë nga “Messi i ri”. Bëhet fjalë për 13-vjeçarin nga Venezuela, Matias Lacava.
Lacava është një futbollist që pavarësisht moshës fare të re, prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e të apasionuarve me lëvizjet, driblimet dhe golat e shënuar. Megjithatë, katalanët detyrohen të heqin dorë nga lojtari që cilësohet si një prej më të talentuarve në botë për brezin e tij dhe detyrohen të mos i rinovojnë kontratën.
Shkak është bërë rregullorja e FIFA-s, përsa i takon nënshkrimit me minorenë të huaj. Konfederata Botërore e kërcënoi klubin me sanksione të tjera, nëse Matias Lacava do të vazhdojë të jetë pjesë e Akademisë. Për këtë arsye, talenti venezuelian që njihet me epitetin “Messi i ri” nuk do të mund të vazhdojë stërvitjen në qendrën e edukimit sportiv “La Masia” të klubit katalan.
Lacava iu bashkua Barcelonës në vitin 2013 dhe gjatë sezonit të kaluar u aktivizua normalisht me ekipin B të fëmijëve. Përveç tij, “blaugranat” u detyruan të hiqnin dorë edhe nga talenti holandez Fode Fofana, ndërsa më të njëjtin fat kishin edhe kamerunasi Soussia dhe amerikani Lederman. Barcelona vendosi të ndjekë rregullat e përcaktuara. Konflikti me FIFA-n duket ende larg zgjidhjes, përkundrazi vazhdon të ndërlikohet.