Donis Avdijaj nuk ka zgjedhur ende se me cilën kombëtare do të luajë në të ardhmen. Sulmuesi i talentuar, i cili pak kohë më parë ka refuzuar një ftesë nga trajneri Xhani De Biazi, ka treguar për ‘goal.com’ se nuk ka marrë asnjë vendim rreth kombëtares, nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e Gjermanisë apo do të zgjedhë ngjyrat kuqezi për të ardhmen e tij.
“Më në fund kam kohë të mendoj për veten time. Por nuk kam marrë ende asnjë vendim”, tha ai, duke folur rreth kësaj çështjeje, e cila po mban në ankth tifozët e përfaqësueses shqiptare, duke pasur parasysh talentin e jashtëzakonshëm të 18-vjeçarit, i cili po shkëlqen te Shturm Grac në Austri, ku është huazuar nga Shalke.
Avdijaj, i cili pranoi se ëndërronte që të bëhej një lojtar i madh si Xherard apo Shvajnshtajger, ka komentuar edhe çështjen e vlerës së lartë të kartonit që i ka vënë Shalke dhe mendon se nuk u kthye në një personazh mediatik pikërisht për shkak të këtij vlerësimi, ndërsa ka zbuluar se ka kaluar mes shumë peripecish për t’u bërë një lojtar i njohur. “Unë nuk jam i llastuar, interesimi i mediave ka ardhur që i ri, për shkak të paraqitjeve të mia. Te të rinjtë e Shalkes, në derbit kundër Borusia Dortmundit, kam shënuar 15 gola dhe sigurisht që kjo sjell interes të lartë nga mediat. Por fakti që jam përshkruar si një adoleshent i llastuar më ka mërzitur, pasi këta njerëz nuk më njohin. Unë e di se si jam rritur, jetoja në varfëri, i merrja rrobat nga shteti. Ndaj çështja e ‘adoleshentit të llastuar’ nuk ekziston. Unë dhe familja ime kemi kaluar mes shumë vështirësish. Kam punuar shumë për të arritur deri këtu, e njoh vlerën e asaj që duhet bërë për të pasur një jetesë të mirë. E pranoj se kam një kontratë të mirë. Ajo shifër që vuri Shalke është vetëm një sinjal besimi”, ishte shpërthimi i sulmuesit.
“Unë jam një person familjar dhe mendoj se jam një tip i ndjeshëm. Por kur shkon puna në fushë, për vendimet profesionale, jam shumë i prerë. Sigurisht, në të kaluarën ka pasur shumë raste që të rinj të fryrë nga mediat, kanë bërë aksidente, ashtu siç më ndodhi mua. Por jam i kënaqur me situatën time, e kaluara më ka mësuar shumë. Jam i lumtur me paraqitjet që kam dhuruar te Shturm Graz, por nuk jam ende atje ku dëshiroj. Sinqerisht, e gjithë kjo vëmendje ndaj meje nuk do të thotë asgjë. Nuk mendoj asnjëherë për shifrën në kontratë. Kam pasur oferta nga klubet më të njohura në kampionatet më të mëdha në Europë. Kjo, sepse paraqitjet e mia në kampionatin e të rinjve nuk kaluan pa u parë. Ndaj është vendosur ajo shumë e lartë, që t’i mbajë larg skuadrat e tjera. Për këtë arsye, shifra nuk është një barrë për mua”, tha Avdijaj.